“Veprimet e Shoqërisë Civile për Drejtësi të Përbashkët dhe Luftë kundër Korrupsionit”

Tiranë, 25 Nëntor 2024

Në datën 25 nëntor 2024 u zhvillua në Tiranë konferenca “Civil Society Actions for Shared Justice and Fight Against Corruption”, një ngjarje e rëndësishme në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Shoqëria civile kundër korrupsionit: nga sfida lokale në reagimin europian”. Organizuar nga Qendra ALTRI, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dhe Friends of Europe, kjo konferencë theksoi rolin thelbësor të shoqërisë civile në forcimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve kyçe të drejtësisë, përfshirë KLGJ, KLP, SPAK dhe Ministrinë kundër Korrupsionit, për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e deritanishme të Reformës në Drejtësi, veçanërisht pas tetë viteve nga fillimi i procesit të vetting-ut. Në qendër të diskutimeve ishte nevoja për rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe efikasitetit institucional, si dhe ndërlidhja e reformave me pritshmëritë qytetare.

Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte prezantimi i Rrjetit Antikorrupsion të Organizatave të Shoqërisë Civile, i iniciuar nga Qendra ALTRI, së bashku me prezantimin e platformës digjitale www.rrjetiantikorrupsion.al, e cila synon të ofrojë një hapësirë bashkëpunimi dhe ndërveprimi për organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet publike në luftën kundër korrupsionit.

Në tre sesione të veçanta, konferenca trajtoi:

  • Bilancin e procesit të vetting-ut dhe ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar ose dorëhequr;
  • Mësimet e nxjerra nga reforma në drejtësi dhe ndikimi i saj në institucionet e qeverisjes së mirë;
  • Arritjet dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit përmes monitorimit dhe rrjetëzimit.

Në përmbyllje, pjesëmarrësit riafirmuan angazhimin për të forcuar bashkëpunimin midis shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, me qëllim rritjen e cilësisë së drejtësisë dhe ndërtimin e një kulture të përbashkët integriteti dhe llogaridhënieje.

Konferenca shërbeu jo vetëm si platformë debati, por edhe si një moment konkret angazhimi për të kthyer luftën kundër korrupsionit në një normë shoqërore të përbashkët.