Trajnimi mbi Metodologjinë e Vlerësimit të Riskut të Korrupsionit

Në datën 20 maj 2025 u zhvillua një tjetër trajnim mbi Metodologjinë e Vlerësimit të Riskut të Korrupsionit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione të qeverisjes qendrore dhe ato të pavarura. Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Shoqëria Civile kundër Korrupsionit – nga një sfidë vendase në një përgjigje evropiane”, në bashkëpunim me programin EU4GoodGovernance Albania (EU4GG) dhe me mbështetjen financiare të European Union in Albania.

Ky trajnim shënon një tjetër hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale në parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit në administratën publike. Ajo që e bëri këtë sesion veçanërisht domethënës ishte përfshirja aktive e përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK), të cilët, të trajnuar më herët nëpërmjet një sesioni Training of Trainers (ToT), bashkëudhëhoqën trajnimin së bashku me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën në mënyrë praktike me metodologjinë për vlerësimin e riskut të korrupsionit, një mjet i rëndësishëm për të ndihmuar institucionet publike në identifikimin dhe adresimin e risqeve të mundshme. Në zbatim të Strategjisë Antikorrupsion 2024–2030, kjo metodologji pritet të përdoret nga koordinatorët për antikorrupsion në 26 institucione shtetërore, duke u mbështetur në burime të ndryshme informacioni si denoncimet, sinjalizimet apo analizat e brendshme. Aty ku mungojnë koordinatorët e dedikuar, procesi do të drejtohet nga vetë DPAK.