Trajnim i Trajnerëve – Metodologjia e Vlerësimi të Riskut të Korrupsionit
28 Prill 2025
Në kuadër të projektit “Shoqëria Civile kundër Korrupsionit – nga një sfidë vendase në një përgjigje evropiane”, dhe në bashkëpunim me programin EU4GG, Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit (DPAK) është mbështetur me një Metodologji Vlerësimi të Riskut të Korrupsionit. Kjo metodologji është një instrument i rëndësishëm për identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit në administratën publike.
Në përputhje me Strategjinë Ndërsektoriale Anti-Korrupsion 2024–2030, kjo metodologji përfaqëson një komponent kyç për forcimin e integritetit institucional, veçanërisht në sektorë të identifikuar si vulnerabël: pronësia, kujdesi shëndetësor dhe social, arsimi, kontratat publike, tatimet dhe doganat. Strategjia parashikon gjithashtu angazhimin e koordinatorëve kundër korrupsionit në 26 institucione dhe agjenci publike, të cilët do ta përdorin këtë mjet për të analizuar rreziqet bazuar në sinjalizime, denoncime, nisma mediatike apo të dhëna të tjera. Për institucionet që nuk kanë koordinatorë të dedikuar, procesi do të mbikëqyret nga vetë DPAK.
Për të lehtësuar zbatimin praktik të metodologjisë, stafi i DPAK është trajnuar përmes një sesioni Training of Trainers (ToT), me qëllim përgatitjen e tyre për trajnimin e institucioneve të tjera publike.
Metodologjia është gjithashtu një kërkesë prioritare e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe një rekomandim i vazhdueshëm nga GRECO, duke u konsideruar si një instrument kyç për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë në administratën publike. E bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe e përshtatur me kontekstin shqiptar, ajo përfshin qasje nga organizata si Transparency International, UNDP, UNODC dhe OECD, duke ofruar një kornizë të qartë dhe efektive për institucionet vendase në luftën kundër korrupsionit.









