Koalicione për Universitete të Pastra: Rritja e Integritetit në Arsimin e Lartë në Shqipëri
Organizata Zbatuese: Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS)
Korrupsioni mbetet një nga sfidat më serioze në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e arsimit të lartë. Studentët, pedagogët dhe administrata shpesh ndodhen në një sistem të ndërlikuar marrëdhëniesh që dekurajon denoncimin e korrupsionit. Praktika shqetësuese si dhënia e ryshfeteve apo ndereve në këmbim të notave apo diplomave kanë krijuar një bashkëjetesë të rrezikshme, që dëmton rëndë cilësinë dhe besueshmërinë e arsimit. Për më tepër, mungesa e mekanizmave të qarta për të raportuar dhe adresuar këto dukuri ka lënë hapësira të mëdha për mosndëshkim dhe mosbesim.
Projekt ynë lindi nga nevoja urgjente për të përmirësuar integritetin akademik dhe për të forcuar kulturën e llogaridhënies në universitetet shqiptare. Për ta bërë këtë të mundur, është thelbësore krijimi i sinergjive midis aktorëve të ndryshëm dhe ndërtimi i një zëri të përbashkët që mbështetet nga opinioni publik.
Projekti bazohet në tre shtylla kryesore: Hartim, Dialog e Rritje si dhe Ndërgjegjësim.
Objektivat kryesore të projektit janë:
- Të luftojë korrupsionin në arsimin e lartë përmes politikave të përmirësuara, ngritjes së ndërgjegjësimit dhe rrjetëzimit të fortë institucional e shoqëror.
- Të identifikojë mekanizmat ekzistues për parandalimin, raportimin dhe trajtimin e korrupsionit aktiv dhe pasiv në universitete.
- Të ndërtojë dhe fuqizojë bashkepunime që promovojnë integritetin, përmes përfshirjes së përfaqësuesve të grupeve të interesit dhe sensibilizimit publik.
Çfarë do të realizojmë:
- Hartimi i një raporti gjithëpërfshirës mbi politikat anti-korrupsion ekzistuese dhe rekomandimet për përmirësimin e tyre.
- Ndërtimi i dialogut dhe bashkëpunimit në tre universitete publike – Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, dhe Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë – për të mobilizuar aktorët kyç brenda dhe jashtë institucioneve.
- Ndërgjegjësimi publik përmes aktiviteteve, artikujve dhe përmbajtjes mediatike që promovojnë transparencën dhe mbështesin ndryshimin kulturor në arsim.
Ky projekt synon të shërbejë si model për të gjitha universitetet në Shqipëri, duke nxitur shkëmbimin e përvojave dhe përhapjen e praktikave më të mira. Me angazhimin e përbashkët të shoqërisë, universitetit dhe institucioneve, ne besojmë se është e mundur të ndërtojmë një sistem arsimor më të ndershëm, më cilësor dhe më të besueshëm për të rinjtë shqiptarë.



