Eventi Lanҫues i Projektit “Shoqëria Civile kundër Korrupsionit – Nga një Sfide Vendase në një Përgjigje Evropiane”

Më 29 maj 2023, në ambientet e Europe House në Tiranë, u zhvillua eventi lanҫues i projektit trevjeçar “Shoqëria Civile kundër Korrupsionit – Nga një Sfide Vendase në një Përgjigje Evropiane”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në partneritet me Qendrën ALTRI dhe Friends of Europe.

Eventi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve kyçe të drejtësisë dhe antikorrupsionit në vend, si dhe aktorë të shoqërisë civile. Në fjalët e mirëseardhjes, znj. Erida Skëndaj (KShH), z. Hubert Perr (Delegacioni i BE-së), znj. Eda Noçka (Qendra ALTRI) dhe z. Dharmendra Kanani (Friends of Europe) theksuan rëndësinë e këtij projekti për fuqizimin e rolit të shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e një kulture integriteti dhe transparence.

Ndërhyrjet nga partnerët institucionalë, përfaqësues të SPAK, Ministrisë së Drejtësisë, ILDKPKI, KLGJ dhe KLP, përqendruan vëmendjen tek përpjekjet e deritanishme dhe sfidat përballë ndërtimit të një drejtësie efikase, të pavarur dhe të besueshme. U theksua rëndësia e përfshirjes aktive të organizatave të shoqërisë civile si partnere në monitorimin dhe nxitjen e politikave antikorrupsion.

Një element i veçantë i projektit është krijimi i Rrjetit Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet OSHC-ve dhe institucioneve publike, duke ndërtuar një qasje gjithëpërfshirëse në luftën kundër korrupsionit në nivel kombëtar dhe lokal.